Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media ka prezantuar masat e reja antiCOVID, të cilat pritet të votohen në mbledhjen e nesërme të Qeverisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Vitia bëri të ditur se me masat e reja, personat e pavaksinuar nuk do të lejohen që të hynë në qendra tregtare, call center, në ambientet e brendshme të kafeneve dhe restoranteve.
Ata të cilët duan të futen brenda këtyre hapësirave, duhet që të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin negativ.
Po ashtu, i pari i Shëndetësisë bëri të ditur se punëtorët e sektorit publik ose privat të cilët kanë punë me palë, duhet të prezantojnë po ashtu certifikatën e vaksinimit ose testin negativ PCR, në mënyrë që të lejohen të hynë brenda ambientit të tyre të punës.
Nga e hëna, Vitia bëri të ditur se do të hapen çerdhet dhe shkollat. Maksimumi i nxënësve që do të lejohet në klasa do të jetë 20.
Aktivitetet sportive në salla të mbyllura do të mund t’i ndjekin vetëm 10 për qind e kapaciteteve të sallave.
Ndërkaq në ambientet e hapura do të lejohet shfrytëzimi i 30 për qind të hapësirës së shikuesve.
Ora policore nga 22:00 deri në orën 05:00 do të vazhdojë të mbetet në fuqi.