Qeveria e Kosovës sot ka vendosur marzhën e fitimit për shitësit për naftën me shumicë dhe pakicë, si mas ndërhyrëse pas rritjes së çmimeve në tregun botëror dhe vendor për shkak të luftimeve në Lindje të Mesme.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, sot ka nënshkruar sot vendimin, me të cilin janë vendosur kufijtë e marzhës në shitjen nga tregtarët dhe shitësit vendor.
“Me këtë vendim është caktuar marzha tregtare maksimale e lejuar për operatorët ekonomikë. Për shitjen me shumicë, marzha maksimale do të jetë deri në 2 euro centë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë deri në 12 euro centë për litër,” tha ministria në një komunikatë.
Sipas ministres, ndërhyrja ka qenë e “domosdoshme” për të mbrojtur konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe të ndershme në tregun e Republikës së Kosovës.
“Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes”, citohet të ketë thënë ministrja Kusari-Lila.
Sipas ministrisë, përmes kësaj mase, synohet që të “ruhet stabiliteti në treg, të parandalohen abuzimet me çmime dhe të sigurohet mbrojtje efektive” për konsumatorët.

