Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se të martën është mbyllur Mjekimi Intensiv Qendror-COVID në QKUK, shkruan Gazeta Sinjali.
Arsyeja e mbylljes së këtij reparti është rënia e numrit të pacientëve të prekur me koronavirus.
“Mjekimi Intensiv Qendror- COVID në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është mbyllur të martën, pas rënies së numrit të pacientëve të prekur me COVID-19.
Si rrjedhojë e përmirësimit të situatës, në funksion do të jetë vetëm Intensiva e Klinikës Infektive”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
ShSKUK ka bërë të ditur se me përfundimin e dezinfektimit, Njësia Koronare do të kthehet në hapësirat e saj- të cilat deri tash ishin në shërbim të Mjekimit Intensiv Qendror-COVID.
Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, në trajtim spitalor nga COVID-19 janë 263 pacientë, 186 prej tyre me oksigjeno-terapi dhe 29 në gjendje të rënduar shëndetësore, në kujdes intensiv mjekësor.