Abdixhiku: Nëse LDK propozon presidentin, kandidatja do të ishte Vjosa Osmani

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nëse në një marrëveshje politike LDK-së do t’i takonte të propozonte kandidatin për president, emri që do të propozohej do të ishte Vjosa Osmani.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk mund të hyjë në një marrëveshje ku një parti i mban të gjitha pozitat kryesore shtetërore, ndërsa partnerët e mundshëm mbeten pa rol real në vendimmarrje.

Sipas tij, para diskutimeve për poste duhet të ketë qartësi për parimet, programin qeverisës dhe drejtimin politik të vendit.

Ai ka theksuar se për LDK-në më e rëndësishme është të dihet se çfarë do të ndodhë me Republikën e Kosovës në katër vitet e ardhshme, duke shtuar se partia nuk është e interesuar për privilegje individuale.

I pyetur nëse Vjosa Osmani do të ishte kandidatja e LDK-së për presidente në rast se kjo pozitë do t’i takonte partisë së tij, Abdixhiku është përgjigjur se “s’ka diskutim” për këtë emër.

Ai ka shtuar se Kosova nuk ka luksin të humbasë njerëz me përvojë institucionale, duke vlerësuar rolin që Osmani ka pasur në krye të shtetit.

Burimi: Lajmpress

Shpërndaje:FacebookWhatsApp