Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për kujdes nga temperaturat e ngritura që pritet ta përfshijnë vendin gjatë kësaj fundjave.
Bazuar në parashikimet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në Kosovë priten temperatura të larta, të cilat kategorizohen si valë e të nxehtit me intensitet mesatar.
IKSHPK rikujton se temperaturat e ngritura mund të ndikojnë në shëndetin e njeriut, prandaj masat mbrojtëse janë të nevojshme për secilin qytetar.
Vëmendje e veçantë kërkohet për grupet më të ndjeshme të popullatës, si fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit.
Sipas rekomandimeve, qytetarët duhet të qëndrojnë sa më larg të nxehtit, ta mbajnë shtëpinë të freskët, ta freskojnë trupin dhe të konsumojnë ujë rregullisht.
Po ashtu, IKSHPK bën thirrje që të mbrohen veçanërisht foshnjat dhe fëmijët nga ekspozimi i gjatë në temperatura të larta.
Këshillat kryesore janë:
- Qëndroni larg të nxehtit gjatë orëve më të nxehta të ditës.
- Mbajeni shtëpinë sa më të freskët.
- Pini ujë dhe shmangni dehidratimin.
- Mbroni fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
Shpërndajeni këtë njoftim që këshillat të arrijnë te sa më shumë qytetarë.
Burimi: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK)
