Kujdes nga helmimet gjatë vapës: AUV tregon si duhet ruajtur ushqimi në verë

Me rritjen e temperaturave gjatë ditëve të verës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në ruajtjen dhe trajtimin e ushqimeve.

Apeli u drejtohet si bizneseve që merren me prodhim, transport, ruajtje dhe shitje të ushqimit, ashtu edhe qytetarëve që blejnë dhe i ruajnë produktet në shtëpi.

Sipas AUV-it, subjektet e gastronomisë, marketet, furrat, fast-food-et, restorantet dhe bizneset e tjera duhet të kontrollojnë rregullisht pajisjet ftohëse dhe ngrirëse, si dhe të sigurohen që produktet të ruhen në temperaturat e përcaktuara në etiketë.

Qytetarëve u rekomandohet të jenë të kujdesshëm që nga momenti i blerjes: të shmangin qëndrimin e gjatë të produkteve ushqimore në temperatura të larta, sidomos kur bëhet fjalë për mish, qumësht, vezë dhe produkte të tjera me prejardhje shtazore.

Ruajtja jo e duhur e ushqimit gjatë vapës mund të rrisë rrezikun për prishje të produkteve dhe për helmime ushqimore, prandaj kujdesi në frigoriferim, transport dhe konsumim mbetet i domosdoshëm.

AUV ka paralajmëruar se gjatë sezonit të verës do të intensifikojë kontrollet në terren për të mbikëqyrur respektimin e rregullave dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Shpërndajeni këtë njoftim me familjarët, sidomos në ditët me temperatura të larta.

Burimi: Gazeta10

Shpërndaje:FacebookWhatsApp