Zjarr në një spital në Gjermani, dy pacientë humbin jetën

Dy pacientë kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar thithje tymi si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një spital në qytetin Ludwigslust të Gjermanisë.

Zjarri ka nisur rreth orës 04:28 në katin e sipërm të repartit të kirurgjisë vaskulare, ndërsa më pas është përhapur edhe në çatinë e ndërtesës.

Për arsye sigurie, 86 pacientë dhe rreth 20 anëtarë të stafit mjekësor janë evakuuar. Disa pacientë janë transferuar në spitale të tjera për vazhdimin e trajtimit.

Sipas hetimeve paraprake, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga një pacient që kishte ndezur cigare në dhomë, pavarësisht ndalimit të pirjes së duhanit në ambientet e spitalit.

Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar rreth 90 zjarrfikës, të cilët kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll.

Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij incidenti të rëndë.

Shpërndaje:FacebookWhatsApp