Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) përmes një komunikate për media thotë se kanë pranuar disa ankesa lidhur me ngritjen e çmimit të disa produkteve në tregun e Kosovës, por që AKK nuk ka ndonjë mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi.
“Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg”, shkruhet në reagim.
Tutje, në reagim thuhet se, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg – praktikës së bashkërenduar).
Gjithashtu, AKK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë.
“Natyrisht, pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër. Përveç kësaj, AKK në vazhdimësi është duke avokuar përmes formave të ndryshme që të rris vetëdijen e operatorëve të tregut për Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”.