Pas një udhëtimi të gjatë prej më shumë se 15 muajsh dhe mijëra kilometrash të përshkuar me biçikletë, Cekki Hoti nga Kosova ka arritur në destinacionin e tij – në qytetin Bau Bau të Indonezisë – për t’u takuar për herë të parë me vajzën që e kishte njohur në internet dhe për t’i propozuar asaj martesë.
Historia e tij ka prekur mijëra njerëz në rrjete sociale, ku Cekki kishte ndarë momentet e udhëtimit të jashtëzakonshëm përmes videove dhe postimeve plot përkushtim e shpresë.
Por, në fund, historia nuk mori drejtimin që ai kishte ëndërruar.
Në një video të fundit të publikuar në TikTok, Cekki tregon se pas shumë ditësh bisedimesh me familjen e vajzës, nuk arritën të bien dakord për kushtet, prandaj secili vendosi të vazhdojë jetën e vet.
> “Pas shumë ditësh bisedimesh me familjen e saj, nuk u pajtuam në kushte. Ata nuk i pranuan të miat, unë nuk i pranova të tyret. Kështu që unë vazhdoj jetën time, ajo të sajën. Jam i lumtur që zgjati aq sa zgjati,” – shkroi ai.
Pavarësisht përfundimit, rrugëtimi i Cekki Hotit mbetet një histori e guximit, dashurisë dhe vendosmërisë, që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe përdoruesve në shumë vende. Ai kishte kaluar dhjetëra shtete në Evropë dhe Azi, duke dokumentuar çdo etapë të udhëtimit të tij drejt një ëndrre që, edhe pse nuk u realizua, tregoi forcën e jashtëzakonshme të njeriut për të ndjekur zemrën.
Në fund të mesazhit të tij, Cekki e përmbylli me një fjali të thjeshtë, por plot kuptim:
“Kjo është jeta 🙂”
