Tashmë Kosova ka arritur ta zbulojë me dëshmi nisjen e ndërtimit të bazës ushtarake të Serbisë, në afërsi të katër komunave veriore të Kosovës. Kjo ka ngjallur reagime të anëtarëve të Komisionit Parlamentar të AKI-së, pushtetit dhe ekspertëve të sigurisë.
Këto shëtitje katër herë brenda dy viteve të fundit duket se nuk janë të mjaftueshme për shtetin serb.
Tashmë Serbia ka nisur ndërtimin e bazës ushtarake në zonën e njohur si Rogazin në afërsi të Izovorit, shumë pak kilometra nga pika kufitare me Kosovën, në Bërnjak. Këtë informacion shteti i Kosovës e kishte siguruar kohë më parë, por Serbia e mohonte.
Konfiskimi i dronëve të grupit terrorist i cili të dielën e 24 shtatorit vrau rreshterin Afrim Bunjaku, dëshmuan edhe këtë informacion tepër të rëndësishëm.
Dokumentimi i këtij informacioni e shtyri drejtorin e AKI-së që të hënën t’i drejtohet ndërtesës së Kuvendit.
Me të përfunduar raportimi i shefit të inteligjencës kosovare, para mediave doli kryetarja e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu.
Situata e sigurisë nuk është e mirë dhe Musliu për këtë po kërkon ndërhyrjen edhe të ndërkombëtarëve.
“Nga pamjet me dronë të datës 27.9, është konfirmuar se në zonën e njohur si Rogazin në afërsi të Izovorit, po ndërtohet një bazë ushtarake e forcave të armatosura serbe. Me mbulesë nga ana serbe që kinse aty po bëhet trajtimi i mineraleve të zonës. Pamjet me dronë kanë konfirmuar burime dhe se aty po bëhet një qendër ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Gjendja e sigurisë është e brishtë dhe e tensionuar, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj çdo provokimi të mundshëm”, deklaroi kryesuesja e Kokisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu.
Tashmë sipas Lëvizjes Vetëvendosje, është e qartë edhe për ndërkombëtarët se çfarë shteti është Serbia dhe kush po udhëheq me të.
Zbulimi i bazës ushtarake për njohësin e sigurisë duhet të ngre alarm për sigurinë e gjithë vendeve fqinje të Serbisë. Derisa, Beogradi zyrtar po akuzohet për organizimin e sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zvecanit, Kosova nxori dëshmi të bollshme ku dokumentohej përfshirja e ushtrisë serbe, sidomos në stërvitjen e grupit në Kopaunik, disa ditë para sulmit. Dëshmi këto që për zyrtarë të SHBA-ve, janë të bollshme për ta bërë përgjegjës shtetin serb se ka gisht në sulmin që ndodhi të dielën e kaluar në veri të Kosovës.