Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallëherë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar të ketë ndodhur në bjeshkët e fshatit Delloc në Suharekë, por tek tash Policia e ka zbuluar të dyshuarin dhe i njëjti është arrestuar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 22-vjeçar, i cili dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri, për motive akoma të panjohura.
Pasi Policia ka siguruar pamjet e gjuajtjes me armë, ka zbarkuar në fshatin e të dyshuarit, ku i njëjti është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ndërsa janë sekuestruar dy armë dhe rreth 150 fishekë.
Me t’u përfunduar procedurat e nevojshme, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”