Ekskluzive: Kërcënoi dy policë në Suharekë, 29-vjeçari shoqërohet në stacion

Një 29-vjeçar është shoqëruar në Stacionin Policor në Suharekë, nën dyshimin se ka kërcënuar dy zyrtarë policorë gjatë një incidenti të ndodhur mëngjesin e së premtes.

Sipas informatave, Policia ishte njoftuar rreth orës 07:20 për një mosmarrëveshje në parkingun “Xoni”, ku i dyshuari me inicialet A.T. dyshohet se po tentonte ta largonte automjetin nga parkingu pa ndjekur procedurat përkatëse.

Pasi zyrtarët policorë e kanë njoftuar për procedurat ligjore, ai dyshohet se është bërë agresiv dhe ka refuzuar t’u bindet urdhrave të policisë.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Suharekë, ku, sipas informatave, ka vazhduar me kërcënime ndaj dy zyrtarëve policorë.

Gjatë testimit, ai ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit me 0.94 promil.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, A.T. është mbajtur për gjashtë orë në stacion policor, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Personi i përfshirë në këtë rast prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje:FacebookWhatsApp