Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se formimi i qeverisë së re do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke theksuar se nuk priten vonesa institucionale.
Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se synimi i tij është që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, të zgjidhet kryesia e Kuvendit dhe të formohet qeveria e re, ndërsa vendimi i parë dhe më i rëndësishëm do të jetë miratimi i buxhetit për vitin 2026.
Ai bëri të ditur se prioritet i menjëhershëm do të jenë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, për të cilat kërkohet bashkëpunim parlamentar, për shkak të fondeve të mëdha që Kosova rrezikon t’i humbasë nëse proceset zvarriten. Sipas Kurtit, bëhet fjalë për rreth 880 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, ku dy të tretat janë kredi dhe një e treta grante, si dhe 90 milionë euro mbështetje buxhetore nga Banka Botërore. Po ashtu, ai përmendi edhe fonde shtesë për ndërtimin e çerdheve dhe për sistemin informativ shëndetësor.
Duke folur për bashkëqeverisjen, Kurti theksoi se prioritet do t’u jepet partive të komuniteteve jo-shumicë, jo-serbe, me të cilat Vetëvendosje ka bashkëpunuar edhe në legjislaturat e kaluara, përfshirë subjektin e Nenad Rashiqit. Ai nuk e përjashtoi bashkëpunimin me parti të tjera, por pranoi se zhvillimet politike gjatë vitit 2025 e kanë vështirësuar këtë mundësi.
Sa i përket përbërjes së kabinetit qeveritar, Kurti tha se nuk priten ndryshime të mëdha, por se do të ketë konsultime të reja brenda Vetëvendosjes dhe me partnerët e koalicionit, duke marrë parasysh edhe rezultatin individual të deputetëve në zgjedhje.
“Programi dhe orientimi nuk ndryshojnë. Nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha në kabinet, por nuk mund të them se do të jetë identik. Duhet të presim certifikimin e rezultateve dhe të shohim kontributin individual të secilit,” tha Kurti.
Ai shtoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës vjen vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve, duke bërë të ditur se në fillim të vitit do të zhvillojë një takim me presidenten aktuale për të diskutuar mundësitë dhe shanset, pasi për këtë proces kërkohet prania e 80 deputetëve në sallë.
Kurti përfundoi duke theksuar se formimi i qeverisë së re është vetëm çështje kohe dhe se vonesat aktuale lidhen ekskluzivisht me numërimin e votave dhe certifikimin zyrtar të rezultateve, duke u shprehur i bindur se institucionet e reja do të nisin punën pa humbur kohë./suharekaexpress

