Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala, ka reaguar pas raportimeve për një marrëveshje të mundshme politike ndërmjet LDK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) para balotazhit të 9 nëntorit.
Në rrjete sociale u publikua një fotografi nga një takim mes Sami Lushtakut dhe Blerim Kuqit, që nxiti dyshime për një koalicion të mundshëm mes dy subjekteve politike.
Por Shala i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si dezinformata. Ai tha se askush nuk është i autorizuar të negociojë në emër të tij apo të partisë në këtë proces.
“Në hapësirën publike janë shpërndarë disa dezinformata me qëllim çorientimin e qytetarëve. Dua të siguroj opinionin publik se askush nuk ka autorizim për negociata apo marrëveshje në emrin tim,” ka deklaruar Shala.
Ai theksoi se përkushtimi i tij është i plotë ndaj qytetarëve dhe se çdo vendim politik do të merret në mënyrë transparente dhe institucionale.
“Unë do të qeveris me qytetarët dhe me askënd tjetër. Qëllimi im është ta kthejmë komunën e Suharekës në model të qeverisjes së ndershme dhe efikase,” ka shtuar kandidati i LDK-së.
Ndërkohë, fotografia që ndezi debatet është komentuar edhe nga analisti politik Avni Arifi, i cili e ka quajtur këtë situatë shembull të “tuxharllëkut politik pa parime”, duke kritikuar mënyrën e garës në Suharekë.
Balotazhi për kryetar të komunës së Suharekës do të mbahet më 9 nëntor, ku do të përballen Ardian Shala (LDK) dhe Bali Muharremaj (AAK).