Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të reja.
Në një reagim publik, Abdixhiku ka vlerësuar se ky vendim paraqet përgjegjësi dhe qartësi kushtetuese në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, dështimet politike dhe përpjekjet për imponim apo improvizim nuk mund të prodhojnë zgjidhje dhe as të krijojnë debate artificiale politike që do ta çonin vendin drejt zvarritjeve procedurale.
“Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla”, ka theksuar Abdixhiku.
Ai ka bërë të ditur se LDK është e gatshme të marrë pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe që vendi t’i drejtohet sërish qytetarëve për një zgjidhje të re demokratike.
Abdixhiku shtoi se zgjedhjet nuk kanë qenë alternativa e preferuar e LDK-së, duke theksuar se ato mund të ishin shmangur nëse do të kishte kompromis politik.
“Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, ka përfunduar ai.

