Aksioni kundër kontrabandimit të armëve dhe municionit në veri, arrestohet edhe një polic

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në 21 lokacione në Mitrovicë të Jugut dhe Veriut, Leposaviq, Vushttri e Skenderaj, i cili ka të bëjë me kontrabandën e armëve dhe municionit. Prokuroria Themelore dhe Policia, kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, në të cilën shpalosen detaje lidhur me aksionin, raporton Gazeta Sinjali.

Në komunikatë thuhet se 16 persona janë shoqëruar në Polici, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Detyrimi” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Në mesin e tyre është edhe një polic, i cili është pezulluar, ka njoftuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani. 

Ndryshe, si dëshmi materiale gjatë kontrollit janë “sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR”.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, 13 nga 16 të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Komunikata e plotë:

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT PËR MEDIA NGA POLICIA E KOSOVËS DHE PROKURORIA THEMELORE – MITROVICË

Realizohet operacioni policor në 21 lokacione dhe arrestohen disa persona

Prishtinë, më 19 mars 2025

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të mbështetura nga njësi relevante policore dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me datën 19.03.2025, pas hetimeve disa mujore, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione në Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq.

Nga ky operacion policor janë shoqëruar në Polici gjithsej 16 persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘detyrim’ si dhe ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’.

Si dëshmi materiale gjatë kontrollit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.

Pas intervistimit lidhur me rastin, me vendim të prokurorit, 13 persona shkojnë në ndalim prej 48 orësh.

Shperndaje:

TE FUNDIT