“`html
Aktakuzë për krime lufte ndaj Ramadan Morinës për vrasjen e 34 civilëve në Malishevë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 18.12.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Ramadan Morinës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me ngjarjet e luftës në Komunën e Malishevës.
Detajet e aktakuzës për krime lufte ndaj Ramadan Morinës
Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Morina dyshohet se “në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë”.
Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri akuzohet edhe për një sërë veprimesh të tjera penale të kryera gjatë të njëjtës periudhë. Në aktakuzë thuhet se Ramadan Morina dyshohet për “pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”.
Rasti është dërguar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë
Sipas njoftimit, i pandehuri aktualisht ndodhet nën masën e paraburgimit. “I pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës”, ndërsa rasti “i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”.
Prokuroria Speciale thekson përkushtimin për ndjekjen e krimeve të luftës
Në fund, Prokuroria Speciale ka theksuar përkushtimin e saj për ndjekjen e krimeve të luftës. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare” – thuhet në njoftim.
Arrestimi i Ramadan Morinës në Prishtinë
Ramadan Morina, ishte arrestuar më 12.08.2025 në Prishtinë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullatës civile”.
Raste të tjera të dënimeve për krime lufte nga Tribunali i Hagës
Për krime të luftës ishte akuzuar nga Tribunali i Hagës ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq. Procesi ndaj tij nuk përfundoi për shkak se Millosheviq kreu vetëvrasje.
Milan Milutinoviq, ish-presidenti i Serbisë, u lirua nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikola Sainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, u dënua me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniç, ish-shefi i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vladimir Lazareviç, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Sreten Lukiç, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, u dënua me 20 vjet burg edhe për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

