Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur ekspozenë për kabinetin e ri qeveritar dhe drejtimet kryesore të mandatit të ardhshëm, duke e cilësuar atë si mandat “pune, drejtësie dhe dinjiteti për secilin” dhe “sigurie e begatie për të gjithë”. Në fjalimin e tij, Kurti ka renditur një varg zotimesh konkrete që përfshijnë reformën në drejtësi, investime kapitale mbi 1 miliard euro në vit, investime të mëdha në mbrojtje, energji, ujë, shëndetësi, arsim, bujqësi dhe infrastrukturë.
Reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit
Një nga shtyllat kryesore të mandatit të ri, sipas Kurtit, do të jetë reforma në drejtësi, e cila “do të hyjë në fazën e saj vendimtare”. Ai ka theksuar se lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë dhe se ligji do të zbatohet “pa frikë dhe pa favor” në të gjithë territorin e Republikës. Në kuadër të këtij angazhimi, është përmendur ecja përpara e Ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe procesi i vetingut, me synimin që drejtësia të bëhet “edhe e drejtë, edhe e shpejtë, edhe e besueshme”.
Po ashtu, Kurti ka paralajmëruar themelimin e një Prokurorie të re të specializuar për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe krijimin e një zyre për hetime disiplinore.
Ekonomia dhe politika sociale: paga, shtesa dhe mbështetje për gratë
Në pjesën ekonomike dhe sociale të fjalimit, Kurti ka folur për vazhdimin e rritjes së pagave në sektorin publik, me synimin që paga mesatare të kalojë 1,000 euro në muaj. Ai ka ripërsëritur se shtesat për fëmijë do të dyfishohen në mandatin e ardhshëm, ndërsa shtesat për lehonat do të rriten në 500 euro në muaj për një periudhë gjashtëmujore.
Ndër projektet e reja sociale është përmendur “Super Puna për gratë”, ku qeveria do të mbështesë punësimin e grave në lartësinë e pagës minimale (500 euro) për gjashtë muaj. Një tjetër zotim është edhe mbështetja shtesë për gjyshërit që kujdesen për fëmijët, me 100 euro në muaj mbi pensionin bazë, kur të dy prindërit janë në punë.
Sa i përket pagës minimale, Kurti ka thënë se ajo do të ndjekë rritjen ekonomike dhe do të arrijë në 500 euro, ndërsa ka theksuar edhe lirimin e saj nga tatimi. Në të njëjtën frymë është përmendur edhe lehtësimi fiskal për bizneset e vogla individuale, me lirim nga tatimi për 6,000 eurot e para të fitimit vjetor.
Investime kapitale mbi 1 miliard euro dhe shtytje e prodhimit
Kurti ka deklaruar se investimet kapitale vjetore do të tejkalojnë vlerën 1 miliard euro, duke e konsideruar këtë si standard të ri të qeverisjes. Ai ka paralajmëruar një shtytje të fuqishme drejt prodhimit, duke thënë se gjatë katër viteve në vazhdim qeveria do të vërë në dispozicion 1 miliard euro garanci sovrane për të garantuar investimet private në fabrika dhe prodhim.
Në këtë kuadër është përmendur edhe themelimi i Bankës Zhvillimore, projekt i negociuar me Bankën Botërore në vlerë prej 50 milionë eurosh, me qëllim mbështetjen e zhvillimit industrial dhe ndërmarrjeve prodhuese. Kurti ka folur edhe për Trepçën, duke thënë se do të rikthehet në funksion të zhvillimit përmes investimeve strategjike në bashkëpunim me kompani me renome nga vendet mike. Po ashtu, është përmendur një fond rreth 50 milionë euro për skanimin e plotë të burimeve natyrore.
Energjia: kapacitete të reja, bateri dhe synimi për eksport
Në fushën e energjisë, Kurti ka përmendur modernizimin e Termocentralit “Kosova B” dhe rehabilitimin e thellë të Termocentralit “Kosova A”, si masa për rritjen e sigurisë së furnizimit. Sipas zotimeve të tij, kapacitetet nga era do të rriten më shumë se dyfish, ndërsa kapacitetet diellore do të rriten më shumë se tetëfish.
Një nga projektet kyçe të përmendura është implementimi i sistemit të baterive me kapacitet 170 MW për dy orë, me synim rritjen e fleksibilitetit të rrjetit. Kurti ka deklaruar se deri në fund të mandatit Kosova synon të bëhet neto eksportuese e energjisë elektrike.
Përveç burimeve të ripërtërishme, ai ka folur edhe për angazhimin në përdorimin e linjitit me teknologji moderne gazifikimi, duke e cilësuar këtë si projekt të rëndësishëm për dekadat e ardhshme.
Uji dhe digat: 400 milionë euro investime
Duke e lidhur sigurinë kombëtare edhe me ujin, Kurti ka paralajmëruar investim prej 400 milionë euro për ndërtimin e pesë digave të reja. Sipas tij, këto investime synojnë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijes, rritje të potencialit për bujqësi intensive dhe rritje të rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike.
Mbrojtja dhe ushtria: 1 miliard euro dhe prodhim “Made in Kosova”
Në katër vitet e ardhshme, Kurti ka paralajmëruar investim prej 1 miliard euro në mbrojtje, rekrutim të ushtarëve të rinj dhe shumëfishim të numrit të oficerëve. Ai ka folur për funksionalizimin e fabrikës së municionit, zhvillimin e industrisë ushtarake dhe prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Kosova”.
Kurti ka përmendur edhe forcimin e bashkëpunimit me aleatët dhe ruajtjen e orientimit euroatlantik, ndërsa në listën e zotimeve ka përfshirë edhe angazhimin për anëtarësim në NATO dhe nisma të përbashkëta ushtarake me Republikën e Shqipërisë.
Shëndetësia: check-up vjetor, spitale dhe poliklinika të reja
Në shëndetësi, Kurti ka paralajmëruar se çdo qytetar do të ketë mjekun familjar dhe do të jetë brenda Regjistrit të kujdesit parësor shëndetësor. Ai ka thënë se do të nisë plani i kontrollit dhe mbikëqyrjes shëndetësore për çdo qytetar, ku brenda vitit secili do të ketë një kontroll të plotë mjekësor (check-up).
Po ashtu, janë përmendur ndërtimi i spitaleve të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj, ndërtimi i poliklinikave specialistike në disa komuna, hapja e poliklinikave specialistike stomatologjike në qytete të ndryshme, si dhe rritja e buxhetit për listën esenciale të barnave deri në 100 milionë euro.
Arsimi: çerdhe, bono, gjimnaze të specializuara dhe tekste digjitale
Në arsim, Kurti ka përmendur vazhdimin e mbështetjes për edukimin e hershëm dhe hapjen e sistemit të bonove për prindërit që i dërgojnë fëmijët në çerdhe jopublike. Synimi, sipas tij, është përfshirja e plotë e fëmijëve të moshës 5–6 vjeç në ciklin parafillor.
Ai ka paralajmëruar hapjen e pesë gjimnazeve të specializuara në të gjithë Kosovën, ndërsa ka folur edhe për programin që mundëson angazhimin e profesionistëve me doktoratura në shkollat e mesme, me bonus të veçantë për ata që shkojnë në komunat më të largëta. Po ashtu, është përmendur rishikimi dhe rivlerësimi i teksteve shkollore dhe digjitalizimi i materialeve.
Bujqësia dhe fermerët: standardizim, treg i garantuar dhe e-Fermeri
Kurti ka deklaruar se në mandatin e ri fokusi do të jetë rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në bujqësi, duke përfshirë mbështetje për teknologji, rrjetëzim të mbledhjes dhe shpërndarjes, si dhe standardizim e certifikim të prodhimeve. Sipas tij, çdo prodhim i standardizuar dhe i certifikuar do të ketë treg të garantuar, ndërsa “Karta e-Fermeri” do të shërbejë si instrument i sigurt për inpute, këshilla, subvencione, financa dhe shitje të prodhimit.
Infrastruktura: autostrada, rrugë të reja dhe hekurudha
Në listën e projekteve infrastrukturore, Kurti ka përmendur përfundimin e autostradës së Gjilanit deri te Dheu i Bardhë dhe lidhjen në “Korridorin 1”, rrugën Prizren–Tetovë, rrugën e Dukagjinit dhe modernizimin e rrugëve rajonale. Ai ka përmendur edhe projekte të reja si Unaza e Prishtinës, autostrada Gjilan–Prizren dhe Magjistralja e Dukagjinit.
Në hekurudha, Kurti ka thënë se do të fillojë ndërtimi i linjës Gjakovë–Shkodër në kuadër të Prishtinë–Durrës, do të projektohet linja që lidh Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin dhe Bujanocin, dhe do të nisë përgatitja për linjën Prishtinë–Aeroporti “Adem Jashari”.
Zotime të tjera: digjitalizim, valuta digjitale dhe reforma fiskale
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, Kurti ka renditur edhe zotime tjera, përfshirë thellimin e transformimit digjital të shtetit, komunikim pa barriera të qytetarëve me administratën, arkat fiskale digjitale, fatura elektronike biznes-biznes, ligjin për çmimet tavan të produkteve bazë, parqet dhe inkubatorët e inovacionit, si dhe zotimin për “valutë digjitale të bazuar në blockchain”.
Po ashtu, në listë është përmendur heqja e taksës doganore prej 10% për veturat e importuara nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe zhvendosja e datës së pagesës së detyrimit të TVSh-së në muajin pasues.

