Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Jonathan Hargreaves është pritur sot në Komunën e Suharekës nga kryetari Bali Muharremaj, në kuadër të një vizite ku u diskutua për zhvillimin ekonomik lokal dhe bashkëpunimin institucional.
Gjatë takimit, ambasadori Hargreaves vlerësoi Suharekën si një nga ekonomitë lokale më të suksesshme në Kosovë, duke e cilësuar komunën si shembull të mirë të bashkëpunimit efektiv mes qeverisjes lokale dhe bizneseve vendore, bashkëpunim që ka rezultuar në projekte të rëndësishme infrastrukturore.
Ai theksoi se ishte kënaqësi të takohej me kryetarin Bali Muharremaj dhe të dëgjonte nga afër për performancën e fortë ekonomike të Suharekës, si dhe për vizionin e komunës në zhvillimin e turizmit.

Nga ana e tij, kryetari Muharremaj e falënderoi ambasadorin Jonathan Hargreaves për vizitën dhe interesimin e treguar, duke theksuar se Suhareka mbetet e hapur për bashkëpunim dhe investime që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të komunës.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve dhe promovimit të Suharekës në arenën ndërkombëtare.

