Politikani me prejardhje nga Suhareka, Ar tobër Bullakaj, nga 27 prilli do të bëhet deputet në Parlamentin Federal të Zvicrës (Nationalrat), duke shënuar një arritje të rëndësishme për komunitetin shqiptar në këtë shtet.
Bullakaj do ta marrë mandatin pas tërheqjes së deputetes së deritashme të Partisë Socialdemokrate, Claudia Friedl, e cila po largohet nga parlamenti pas një angazhimi të gjatë politik. Si kandidati i parë në listën pritëse nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, Bullakaj do të zërë vendin e saj në parlament.
Arbër Bullakaj është një nga politikanët me rrënjë shqiptare më të pranishëm dhe më të suksesshëm në skenën politike të Zvicrës. Ai është aktiv në politikën zvicerane prej më shumë se 15 vitesh, fillimisht në nivel lokal në qytetin Wil të kantonit St. Gallen.
Me këtë zhvillim, Bullakaj bëhet shqiptari i dytë që arrin të zgjidhet në parlamentin federal të Zvicrës, pas Islam Alijaj. Të dy i përkasin Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP).
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, Bullakaj ishte renditur i pari në listën e pritjes për parlament, një pozitë që i mundësonte marrjen e mandatit në rast të tërheqjes së një deputeti të zgjedhur. Edhe në zgjedhjet e vitit 2019 ai kishte qenë në të njëjtën pozitë, duke treguar një mbështetje të qëndrueshme elektorale.
Në një reagim publik, Bullakaj ka falënderuar deputeten Friedl për kontributin e saj në politikën zvicerane dhe ka bërë të ditur se do ta marrë mandatin e saj më 27 prill.
Ai ka kujtuar gjithashtu fillimet e tij në politikë, kur në vitin 2015 kandidoi për herë të parë për Këshillin Kombëtar, si një kandidat relativisht i panjohur dhe pa mbështetje të madhe financiare.
“Qindra njerëz – shumë prej tyre pa asnjë përvojë të mëparshme politike – ngritën vullnetarisht postera në muret e shtëpive të tyre. Ata organizoheshin vetë dhe bindnin fqinjët e tyre. Kjo nuk ishte vetëm një fushatë, ishte një lëvizje”, ka shkruar Bullakaj.
Ai thekson se rruga e tij politike ka qenë një proces i gjatë që kërkon këmbëngulje dhe strategji.
Sipas tij, politika nuk është një garë e shkurtër, por një proces i gjatë që kërkon qëndrueshmëri dhe aftësi për të përballuar sfidat.
Bullakaj është gjithashtu i njohur për angazhimin e tij në iniciativën qytetare “Aktion Vierviertel”, e cila promovon pjesëmarrje më të gjerë demokratike dhe përfaqësim më të drejtë të komuniteteve me prejardhje migrante në Zvicër.
Në deklaratat e tij, ai ka theksuar se në parlament do të angazhohet për një shoqëri më të barabartë dhe për të drejta qytetarie të drejta për të gjithë ata që e konsiderojnë Zvicrën si shtëpinë e tyre.
“Do të avokoj për një Zvicër ku nuk ka rëndësi nga vjen, në çfarë beson apo kë do”, është shprehur Bullakaj, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër diskriminimit dhe për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.

