Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Komunën e Suharekës, Dr. Ardian Shala, ka reaguar pas publikimit të rezultateve paraprake të raundit të dytë të zgjedhjeve të 9 nëntorit, duke uruar kundërshtarin e tij politik, Bali Muharremaj, për fitoren.
Në reagimin e tij, Shala ka falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në votime dhe që mbështetën vizionin e tij për një Suharekë më të drejtë dhe më zhvillimore.
“Pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 9 nëntorit, sipas të dhënave fillestare fitues del të jetë kundërshtari ynë politik me një dallim të vogël votash. Dëshiroj që me shumë mirënjohje t’ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj,” – ka shkruar Shala.
Ai ka theksuar se ndonëse rezultati nuk ishte ai që pritej, angazhimi i tij dhe i LDK-së për interesin e qytetarëve do të vazhdojë me vendosmëri.
“E pranoj me keqardhje rezultatin, për faktin se nuk arritëm t’ia ofrojmë Suharekës një qeverisje që ajo e meritonte. Megjithatë ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesin e qytetarëve në të gjitha format.”
Në fund, Ardian Shala ka uruar rivalin e tij politik për fitoren:
“Rregullat e demokracisë kërkojnë që pas shpalljes së rezultateve t’i urojmë fitoren kundërshtarit politik. Prandaj i uroj fitoren z. Bali Muharremaj! Ne do të vazhdojmë të punojmë me dinjitet, përkushtim dhe dashuri për qytetin tonë.”
Rezultatet përfundimtare pritet të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ditët në vijim.
