Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka folur për raportet e tij me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me qeverinë qendrore gjatë një interviste në emisionin “Fjalë dhe Fakte”, të realizuar nga portali HisariOnline.
I pyetur nga gazetari për marrëdhëniet që ka me Vetëvendosjen dhe me kryeministrin Albin Kurti, Muharremaj tha se raportet e tij kanë qenë gjithmonë të mira dhe se bashkëpunimi institucional ka sjellë investime për komunën që ai drejton.
Sipas tij, ai respekton çdo përfaqësues të zgjedhur nga qytetarët dhe në të njëjtën mënyrë i pret edhe përfaqësuesit e qeverisë qendrore kur vizitojnë Suharekën.
“Është interesante se unë gjithmonë i kam pasur mirë raportet. Gjithmonë kemi nxjerrë investime për komunën e Suharekës. Unë zakonisht i respektoj ata që zgjidhen nga populli”, u shpreh Muharremaj.
Ai theksoi se çdo ministër i qeverisë Kurti është pritur në Suharekë me respekt institucional.
“Çdo ministër të qeverisë Kurti e pres me tepih të kuq, gjithashtu edhe kryeministrin, si kryeministër dhe jo si Albin”, tha ai.
Muharremaj shtoi se nga qeveria aktuale ka pasur investime konkrete për komunën dhe se edhe gjatë këtij viti priten projekte të reja.
“Kemi pasur investime nga qeveria Kurti. Nuk mund të ankohemi. Vetëm këtë vit presim mbi 10 milionë euro investime, kështu që nuk mund të ankohemi”, deklaroi ai.
Kryetari i Suharekës theksoi se bashkëpunimi institucional është në interes të qytetarëve dhe se prioritet mbetet zhvillimi i projekteve që përmirësojnë jetën e banorëve të komunës.
Për më shumë rreth kësaj interviste dhe deklaratave të Bali Muharremajt, emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.
https://m.youtube.com/watch?v=BoFiTIi1ac4

