Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zyrtarizuar kandidaturën e Bali Muharremajt për kryetar të Komunës së Suharekës në zgjedhjet lokale të ardhshme. Në një paraqitje televizive në emisionin “DPT me Fidanin” në Klan Kosova, Muharremaj ka shfaqur vetëbesim të lartë për rezultatin që pret në këto zgjedhje.
“Hala pa hy në garë, kam me fitu garën,” deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se mbështetja e qytetarëve ndaj tij është e konsoliduar, pavarësisht se fushata ende nuk ka nisur zyrtarisht.
I pyetur për rivalët politikë, Muharremaj theksoi se fitorja nuk varet nga kundërshtarët, por nga vullneti i qytetarëve. “Nuk është me mujt dikon, por me fitu, sepse nuk varet prej neve, por prej qytetarëve,” u shpreh ai, duke nënvizuar se fokusi i tij është ndërtuar gjithmonë mbi besimin dhe shërbimin ndaj qytetarit, jo përballjen me oponentët.
Në të njëjtin intervistim, kryetari aktual i Suharekës theksoi edhe projektet e shumta që janë realizuar gjatë mandatit të tij, të cilat, sipas tij, “do të mbahen mend për një kohë të gjatë” – duke lënë të kuptohet se puna në terren dhe rezultatet konkrete janë baza kryesore e fushatës së tij për një mandat të tretë.
