Një operacion i mirëorganizuar i hetuesve të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Prizren ka rezultuar me arrestimin e një të riu në fshatin Reqan të Suharekës, i cili dyshohet për blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas burimeve rë Sinjalit, më 04 tetor 2025, rreth orës 12:30, hetuesit kishin pranuar informacione operative se E. B, 21 vjeçar do të pranonte një porosi të ardhur nga Italia, që përmbante substanca narkotike.
Në bazë të këtyre informacioneve, policia ka ndaluar automjetin “Golf IV”, ngjyrë e kaltër, në të cilin ndodheshin katër persona, përfshirë të dyshuarin. Gjatë kontrollit të detajuar, pranë këmbëve të tij është gjetur një qese e bardhë e fortë, në të cilën kishte rroba dhe ushqime, ndërsa brenda një kavanozi me lëng të kuq (të ngjashëm me ajvar ose sos domatesh) ishte kamufluar një sasi e substancës së dyshuar narkotike – hashash.
Nga ekspertiza e vendit të ngjarjes, është konstatuar se sasia e sekuestruar ishte 56.52 gramë hashash, ndërsa policia ka konfiskuar edhe një telefon mobil që dyshohet se është përdorur për komunikim në këtë aktivitet të paligjshëm.
I dyshuari dhe tre dëshmitarë janë shoqëruar në Stacionin Policor Suharekë, ku janë intervistuar në prani të hetuesve të DHTN.
Me urdhër të Prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda, E.B është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Ndalimit.
Hetimet po vazhdojnë nga Njësia e DHTN-Prizren për të përcaktuar rrjetin e mundshëm të përfshirë në këtë rast dhe origjinën e dërgesës.