Eksperti i njohur i ekonomisë, Jakup Bellaqa, ka reaguar ndaj paralajmërimit të Zyrës Regullatore të Energjisë (ZRRE) për mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Ai për GazetaBlic ka theksuar se ky veprim do të ishte një barrë e papërballueshme për qytetarët, duke e cilësuar çmimin aktual të energjisë si të lartë dhe të ngarkuar për konsumatorët.
“Paralajmërimi për rritjen e energjisë elektrike, për shportën e konsumatorit është e lartë dhe e papërballueshme. Çmimet e energjisë elektrike do të duhej të jenë sipas rajoneve, sepse përndryshe përkeqësohet jeta e qytetarëve”, tha ai.
Sipas Bellaqës, çmimet e energjisë elektrike duhet të përshtaten me realitetet e secilit rajon, pasi një rritje e mëtejshme do të përkeqësojë ndjeshëm jetesën e qytetarëve.
“Nëse vazhdojmë kështu, mund të jemi ndër vendet më të shtrenjta në rajon. Aktualisht jemi në një periudhë kur kemi një qeveri në detyrë, me kompetenca të kufizuara, dhe çmimet e energjisë elektrike duhet të rregullohen nga ZRRE,” theksoi Bellaqa.
Ai gjithashtu ka shtuar se as në sektorin privat dhe as në sektorin publik, nuk ka paga të mjaftueshme që mund të mbulojnë këto rritje të çmimeve, duke krijuar një pasiguri të madhe për shtresat më të pambrojtura të shoqërisë. Bellaqa apeloi për një ndërhyrje të menjëhershme të ZRRE-së dhe qeverisë për të parandaluar përkeqësimin e situatës ekonomike për qytetarët e Kosovës.
“Duhet të kemi parasysh që as në sektorin privat dhe as në sektorin publik, nuk ka rroga të lartë, që ta përballojnë këtë ngritje”, thotë ai.