Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka prezantuar kandidaturën e radhës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për Asamblenë Komunale. Bëhet fjalë për Elvane Muqën nga Vraniqi, një figurë e njohur për kontributin e saj në arsim, mirëqenie sociale dhe sipërmarrje.
Muqa është magjistre e psikologjisë dhe ka një përvojë 7-vjeçare si mësimdhënëse në fusha të ndjeshme të edukimit dhe zhvillimit të fëmijëve. Ajo ka përfunduar edukimin parafillor dhe është asistente për fëmijë me nevoja të veçanta, terapiste ABA për fëmijë me autizëm si dhe këshilltare për karrierë – një kombinim unik i kompetencave që lidhen drejtpërdrejt me nevojat e komunitetit.
Përveç përkushtimit në arsim, Elvane Muqa është edhe një menaxhere e suksesshme. Ajo drejton prej më shumë se një dekade rrjetin e pastrimit kimik “Muqa”, i cili operon në disa qytete të Kosovës – një shembull i ndërthurjes së suksesit profesional me përkushtimin qytetar.
“Sot, ajo vendos të sjellë këtë përvojë dhe pasion në shërbim të qytetarëve të Suharekës, si kandidate për Asamblenë Komunale,” ka shkruar kryetari Muharremaj.
Kandidatura e saj shihet si një vlerë e shtuar për qeverisjen lokale, duke sjellë në vendimmarrje një zë profesional, të ndjeshëm dhe të përgatitur për të përfaqësuar me dinjitet interesat e qytetarëve.
