Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, ka njoftuar sot përmes një postimi zyrtar emërimin e z. Mensur Selimaj në pozitën e Drejtorit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Në njoftimin e tij, kryetari Muharremaj shpreh besimin e plotë se z. Selimaj do të sjellë një frymë të re në këtë drejtori përmes angazhimit, energjisë dhe përkushtimit të tij profesional. Ai thekson se bujqësia vendore dhe zhvillimi rural do të kenë mbështetje edhe më të madhe përmes këtij emërimi, me qëllim të ruajtjes së pasurisë natyrore dhe rritjes së qëndrueshmërisë ekonomike në zonat rurale.
“Përgatitja e tij profesionale në ekonomi dhe afarizëm do të sjellë një menaxhim të ri dhe më efikas në këtë drejtori“, ka shkruar Muharremaj, duke i uruar njëkohësisht suksese z. Selimaj në këtë përgjegjësi të re në shërbim të qytetarëve të Suharekës.
Ky ndryshim vjen në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për përmirësimin e sektorëve kyç në komunë, me fokus të veçantë në përkrahjen e fermerëve dhe zhvillimin e zonave rurale.