Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka bërë të ditur se do të garojë për kryetar të partisë në Konventën që do të mbahet më 17 nëntor.
Lajmin ai e ka konfirmuar për Klan Kosova. Ai tha se do të mund t’i bashkojë të rinjt dhe të vjetrit në PDK dhe ata që janë urban e ata që vijnë nga zonat periferike.
“Unë dua të garoj për karrigen e kryetarit të partisë, sepse mendoj se procesi ka rëndësi. Dua të prezantoj një platformë të qartë për mënyrën se si mund ta bashkojmë PDK-në dhe t’i japim një orientim të ri për të ardhmen e partisë,” tha Hoxhaj.
Ai shtoi se zgjedhja e kryetarit nuk është thjesht një çështje teknike dhe kritikoi mënyrën se si është organizuar konventa e partisë.
“Procesi nuk është serioz dhe nuk ka as politikë e as demokraci. Konventa, në formën si është menduar, është një improvizim dhe intrigë politike. Ish-kryetari do të duhej ta përgatiste procesin dhe të pjekë debatin politik, të vendosë për datën e konventës dhe të identifikojë kandidatët për kryetar,” theksoi ai.
Hoxhaj e konsideroi dorëheqjen e Memli Krasniqit si një lajm të papritur dhe kritikoi kandidatin tjetër për kryetar, Bedri Hamza. “Z.Hamza nuk ka pasur rezultate të mira në zgjedhjet e shkurtit dhe as në Mitrovicë. Nëse po humbim në Mitrovicë, pse të presim 2-3 javë për ndonjë befasi?” tha Hoxha.

