Eprori policor, Bojan Jevtiq, i cili dje u arrestua nën dyshimet për spiunazh, do të dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Seanca, ku pritet t’i caktohet masa e paraburgimit, do të mbahet në orën 13:00, ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
Në shtëpinë e të njëjtit në një fshat të Kamenicës, Prokuroria ka thënë se janë sekuestruar dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e togerit policor i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “ Dheu i Bardhë”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, brenda afatit ligjor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do të parashtroj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Jevtic është arrestuar nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë.
“Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici. Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republIkës sonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka lavdëruar institucionet e sigurisë për këtë aksion./Reporteri.net
