Familja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka dërguar sot një telegram ngushëllimi për familjen Bukoshi, pas ndarjes nga jeta të dr. Bujar Bukoshit, ish-kryeministër në ekzil të Kosovës, i cili u shua në moshën 78-vjeçare.
Në mesazhin e saj, familja Thaçi nënvizon kontributin e jashtëzakonshëm të dr. Bukoshit në betejën për liri dhe pavarësi, duke punuar me përkushtim të palëkundur në periudhat më të vështira të historisë së vendit. Ata e kujtojnë atë si një udhëheqës të vendosur dhe shumë frymëzues, i përkushtuar në ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës.
Në telegram thuhet:
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të dr. Bujar Bukoshit. Kontributi i tij në rrugëtimin për liri dhe pavarësi do të qëndrojë gjithmonë si shembull për brezat e ardhshëm. Në këto momente dhimbjeje, në emër të presidentit Hashim Thaçi dhe familjes sonë, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve dhe gjithë miqve e bashkëpunëtorëve të z. Bukoshi.”
Familja Thaçi e mbyll telegramin me shprehjen e respektit dhe mirënjohjes për jetën dhe veprën e dr. Bukoshit, duke theksuar se kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve.
