Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht për një incident shqetësues që ka ndodhur sot në Mitrovicën e Jugut, ku një person ka fyer, sharë dhe tentuar të sulmojë fizikisht një doktoreshë në emergjencën e shtëpisë së shëndetit.
Sipas burimeve të sigurta të Sinjalit, rasti është raportuar më 24 korrik 2025, në rrugën “Bislim Bajgora”, ku viktima është E.G rreth 28-vjeçare, doktoreshë me profesion, ndërsa i dyshuari është Naser Shabani rreth 54-vjeçar, i cili kishte sjellë një familjare për trajtim.
Gjatë trajtimit, i dyshuari dyshohet se ka filluar të fyejë e shajë doktoreshën me fjalor banal, dhe ka tentuar ta sulmojë fizikisht, por ndërhyrja e stafit mjekësor dhe personelit tjetër e ka parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Policia është njoftuar menjëherë dhe i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në jug të Mitrovicës, ku është intervistuar nga Njësia e Hetimeve.
Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për veprën: “Sulm ndaj personit zyrtar” – sipas legjislacionit penal në fuqi.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Gazeta Sinjali do t’ju sjellë detaje të reja rreth këtij rasti të rëndë që prek sigurinë e personelit shëndetësor në vend.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
