Paraditja e sotme në Suharekë u karakterizua nga një atmosferë pozitive dhe energjike, falë takimit të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Suharekës, Hamdi Bytyçi, me të rinjtë, studentët dhe aktivistët e angazhuar për ndryshim.
Në një tubim të veçantë dhe frymëzues, Bytyçi falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, idetë dhe entuziazmin që sollën në këtë bashkëbisedim. Ai theksoi se ky takim nuk ishte thjesht një ngjarje politike, por një dëshmi e qartë se rinia e Suharekës ka vizion, guxim dhe vullnet për të qenë pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes.
“Nuk ka asgjë më të vlefshme sesa të dëgjosh të rinjtë, aspiratat dhe shqetësimet e tyre. E ardhmja fillon sot me të rinjtë tanë”, u shpreh Bytyçi.
Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të një raporti të sinqertë e afatgjatë me brezin e ri, duke e cilësuar kulturën e punës së mirë si një mision për t’u bërë mbështetje e jo pengesë, mësues e jo rival, dhe dashamirës e jo moskokëçarës ndaj nevojave të të rinjve.
Në përmbyllje, Bytyçi u zotua se ky ishte vetëm fillimi i një rruge që do të ndërtohet me të rinjtë, për të rinjtë, duke e bërë ata partnerë të vërtetë në vendimmarrje dhe zhvillim lokal.
“Faleminderit për energjinë, idetë dhe besimin tuaj. Ky ishte vetëm fillimi,” përfundoi kandidati i Vetëvendosjes, Hamdi Bytyçi.



