Artikull: Faruk Shala – 26 vite në shërbim të qytetarëve si zjarrfikës vullnetar në Suharekë
Në Komunën e Suharekës jeton dhe vepron një shembull i gjallë i përkushtimit dhe humanizmit – Faruk Shala, zjarrfikës vullnetar që prej pasluftës e deri më sot, përplot 26 vite rresht, ka qenë gjithmonë në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve.
Faruku është pjesë e pandashme e çdo intervenimi pranë zjarrfikësve profesionalë, duke e kryer këtë mision të rëndësishëm pa asnjë pagesë, vetëm me vullnet dhe dashuri për komunitetin. Në çdo kohë, ditë e natë, ai ka qenë aty ku ka pasur nevojë: në raste zjarresh, fatkeqësish natyrore apo situata emergjente, gjithmonë i gatshëm të japë kontributin e tij.
Për të, ky nuk është vetëm një obligim qytetar, por edhe një pasion që e kryen me profesionalizëm dhe kënaqësi të madhe. Për më shumë se dy dekada, puna e tij ka qenë e heshtur, e palodhur dhe pa kërkuar asnjë shpërblim, duke dëshmuar se vlerat e solidaritetit dhe humanizmit janë mbi gjithçka.
Shembulli i Faruk Shalës është një mesazh i fuqishëm për të gjithë ne: të japësh nga vetja për të tjerët është vepra më e madhe që mund të lësh pas. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e gjithë qytetarëve të Suharekës dhe më gjerë.
Respekt për Faruk Shalën – një hero i heshtur i komunitetit tonë!
