Një ngjarje tragjike ka tronditur sot fshatin Gullbovc të Malishevës, ku dy vëllezër janë vrarë me armë zjarri para shtëpisë së tyre nga dhëndrri i familjes.
Sipas informacioneve nga Gazeta Sinjali, viktimat janë Driton Morina dhe Naim Morina, të cilët u qëlluan për vdekje në prag të shtëpisë, në një kohë kur familja e tyre ende ishte në ditë zie për humbjen e babait.
I dyshuari për vrasjen është Astrit Isufi, nga fshati Sankovc i Drenasit, bashkëshorti i motrës së viktimave. Ai kishte shkuar në shtëpinë e familjes Morina për ta marrë bashkëshorten e tij, por pas një fjalosjeje të shkurtër – sipas hetimeve fillestare – u kthye dhe hapi zjarr ndaj dy vëllezërve.
Zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, ka konfirmuar për mediat se bëhet fjalë për një vrasje të dyfishtë dhe se i dyshuari është në arrati, ndërsa arma e krimit është gjetur në vendngjarje.
“Është një vrasje e dyfishtë. Viktimat janë dy vëllezër, i dyshuari dhëndërr i tyre, i njohur për Policinë. Për momentin është në kërkim. Arma është gjetur në vendin e ngjarjes. Motivi dyshohet të jetë një fjalosje mes tyre,” – tha Graishta.
Një i afërm i familjes ka treguar për Sinjalin se ngjarja ndodhi në mënyrë të befasishme, vetëm disa ditë pas varrimit të babait të viktimave.
“E pamja ishte kryer para tre ditësh, por ende vinin njerëz për ngushëllime. Ai erdhi për me e marrë gruan, u kthye dhe i vrau në prag të shtëpisë. Kjo ta këputë shpirt. Edhe babën para pak ditësh e kemi pas varrosë.”
Aktualisht, Policia dhe Prokuroria po zhvillojnë hetime intensive në vendin e ngjarjes, ndërsa njësitë operative janë vënë në ndjekje të të dyshuarit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
