Institucionet dhanë afër 13 milionë euro për OJQ-të, disa pa thirrje publike e pa plotësim kriteresh

Gjithsej 12 milionë e 778 mijë e 405 euro kanë shkuar për financimin e disa OJQ-ve nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2019, ku disa prej tyre madje ishin bërë pa kurrfarë shpalljeje publike dhe pa plotësim të kritereve të duhura.

Këto para ishin shpërndarë pothuajse “paushall” nga buxheti i disa prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, përcjell Buletini Ekonomik.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj për vitin 2019, për Transparencën dhe llogaridhënien në procesin e financimit të organizatave jo-qeveritare nga institucionet publike, ka gjetur shumë mangësi, duke përfshirë financimet pa thirrje publike, financime pa plotësimin e kritereve, dështim të institucioneve në procesin e monitorimit, mungesë të raporteve të zbatimit të projekteve, si dhe financime të dyfishta për të njëjtin projekt nga dy ose tri institucione publike.Reklama e sponzorizuar

Nga totali i financimit publik për OJQ-të gjatë vitit 2019, përqindjen më të madhe të financimit e kishin ministritë, pasuar nga komunat, rezervat shtetërore dhe Zyra e Kryeministrit (ZKM).

Sipas auditimit nga ZKA-ja, ministritë të cilat kanë qenë financueset më të mëdha të OJQ-ve ishin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit  me rreth 4.4 milion euro, pasuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik me rreth 4 milion euro, si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me rreth 1.7 milion euro.

Zyra e Kryeministrit kishte financuar gjatë 2019-s, OJQ-të me rreth 516 mijë euro dhe 867,725 euro tjera me vendime të Qeverisë nga Rezerva Shtetërore.

Ndërsa nga niveli lokal, komuna e Prishtinës është mbështetësja më e madhe financiare e OJQ- ve, e cila ka financuar me 651 mijë e 956 euro pasuar nga ajo e Ferizajt me 642 mijë e 724 euro.

E fushat të cilat kanë përfituar në masë më të madhe nga fondet publike janë ajo e sportit, ambientit, barazisë gjinore, ndërmarrësisë dhe kategorive të prekura nga lufta.

Prej gjithë financimeve nga këto institucione, 197 mijë e 649 euro ishin dhënë si financime direkte, pra pa bërë thirrje publike fare. Rrjedhimisht, institucionet kishin përzgjedhur OJQ-të pa ndjekur hapat dhe duke anashkaluar plotësimin e kritereve të nevojshme sipas rregulloreve për financim të projekteve.

Ministria e Kulturës (MKRS) kishte financuar OJQ-të në mënyrë direkte pa thirrje publike, në një përqindje dukshëm më të madhe sesa të gjitha institucionet tjera financuese. Këto financime, sipas Auditorit,  kryesisht ishin realizuar nga Departamenti i Sportit, për përkrahjen e federatave dhe klubeve sportive, Komitetin Olimpik, etj.

Mirëpo këto financime janë të rregulluara me Ligjin për Sportin dhe Rregulloren për subvencionimin në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, sportit, dhe si rezultat përjashtohen kriteret dhe procedurat e rregullores për financimin e OJQ-ve, thonë nga ZKA.

Nga katër mostrat e analizuara në Departamentin e Sportit nga ZKA, dy prej tyre ishin Federata e Basketbollit e cila kishte përfituar fonde në vlerë prej 106 mijë euro, dhe Federata e Skitarisë kishte përfituar 21 mijë e 456 euro, të cilat ishin financuar sipas kritereve të Ligjit për Sportin dhe Rregullores për subvencionimin në fushën sportit.

Ndërsa, dy mostrat tjera me tituj të projekteve “Sensibilizimi i të rinjve për mbarë Komunitetin” në vlerë prej 3,000 euro dhe “Pjesëmarrja në Maratonën e Shkupit – 2019” në vlerë prej 1,663.43 euro, ishin financuar nga MKRS edhe pse financimi i tyre nuk është i rregulluar me Ligjin për Sportin dhe për subvencionimin në fushën sportit, por të njëjtat ishin financuar në mënyrë direkte duke mos zbatuar as kriteret e Rregullores për financimin e OJQ-ve.

E arsyetimi dhënë ZKA-së, nga Departamenti i Sportit lidhur me financimin e OJQ-ve në mënyrë direkte pa thirrje publike, ishte se këto financime janë realizuar duke u bazuar se projektet e financuara janë nën petkun sportiv.

Lidhur me financimet direkte pa thirrje publike, ZKA ka analizuar edhe financimet nga departamentet tjera në kuadër të MKRS-së. Kështu, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore kishte përkrahur financiarisht OJQ-të në mënyrë direkte, pa thirrje publike për aktivitetet kulturore me tituj “Muzeu Etnografik në Kukaj” në vlerë prej 9,950 euro dhe projektin “Vallet e Karadakut –II” në vlerë prej 4,100 euro. Këto financime ishin realizuar vetëm më kërkesë të OJQ-ve dhe nuk është dhënë ndonjë arsyetim tjetër për ZKA-në nga ky departament për këtë formë të financimit.

Ndërkohë, nga Zyra e Kryeministrit ishin financuar OJQ-të në vlerë prej gjithsej 41 mijë eurove në mënyrë direkte pa thirrje publike, pa vlerësim të projektit dhe plus pa komision vlerësues.

Financimi i OJQ-së me titull të projektit “Manifestimi i Javës së Egjiptiane – 24 Qershori” kishte përfituar fonde në vlerë prej 12 mijë eurove, financimi i OJQ-së me titull “Festimi i Pavarësisë“ në vlerë prej 9 mijë eurove, si dhe “Manifestimi i ditës së Komunitetit Turk” në vlerë prej 20 mijë eurove gjatë vitit 2019. Këto financime direkte, nga ZKM-ja ishin arsyetuar përmes një vendimi të Qeverisë të vitit 2017, i cili kishte të bënte me financimin e festave të komuniteteve të Kosovës. Por pavarësisht kësaj, Auditori thotë se ky vendim ishte vetëm për vitin 2017, andaj kjo nuk e arsyeton financimin direkt pa thirrje publike për vitin 2019.

Ndërsa, komuna e Prishtinës ka ndarë gjithsej 11 mijë e 980 euro në mënyrë direkte për OJQ-të, pra pa thirrje publike.

Kështu, kryetari Shpend Ahmeti gjatë 2019 kishte shpërblyer dy kopshte fëmijësh parashkollore të regjistruara si OJQ, me 10 mijë e 480 euro, pa shpallje publike për financim të tyre.

Kurse OJQ-në tjetër me titull të projektit “Njohja e vlerës së kulturës së qytetit të Prishtinës” e kishte shpërblyer me një shumë prej 1 mijë e 500 eurove, prapë duke mos ndjekur procedurat dhe kriteret tjera për financimin e tyre.

Nga ZKA- thonë se fillimisht dokumentacioni i ofruar nga komuna e Prishtinës është i mangët pasi që janë prezantuar vetëm financimet e fëmijëve për qëndrim ditor, ndërsa nuk ka dokumentacion tjetër mbështetës, dhe në mungesë të dokumentacionit nuk ka qenë e mundur të vlerësohet nëse është arritur qëllimi apo jo për këto dy projekte.

Ndyshe, financimet direkte nga institucionet publike si: ZKM, MKRS dhe KP, pa thirrje publike, dhe pa zbatimin e kritereve tjera gjatë procesit të financimit të OJQ-ve, sipas ZKA-së rrisin rrezikun për diskriminim, jo barazi në financimin e përfituesve dhe për keqpërdorimin e fondeve publike. Gjithashtu, kjo nuk ofron as transparencë në procesin e financimit dhe kufizon konkurrencën mes OJQ-ve. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/

Me te Lexuara

Ndiqni rezultatin live për Asamblenë — për çdo kandidat

Në këtë faqe mund të shikoni rezultatet në kohë...

E rëndë së më s’ka, mërgimtari vdes në moshë të re, u martua të dielën, vdiq të shtunen

Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë në...

Lirim Mehmetaj, tregon kush do të fitoj në Suharekë

Analisti politik Lirim Mehmetaj ka dhënë mendimin e tij...

Humbje e madhe për Suharekën – Ndërron jetë i riu Ylber Trolli

Suhareka është tronditur nga lajmi i hidhur për ndarjen...

Te Tjera

Kategorite me te Lexuara