Klubi i Basketbollit Golden Eagle Ylli ka njoftuar me pikëllim të thellë për ndarjen nga jeta të Arben Fondajt, ish-lojtar, ish-anëtar i bordit të klubit dhe ish-anëtar i bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Në njoftimin e klubit thuhet se Arben Fondaj do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e klubit dhe për dashurinë që kishte ndaj basketbollit dhe qytetit të Suharekës.
“Arbeni do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e klubit tonë dhe për dashurinë e sinqertë që kishte ndaj basketbollit dhe qytetit të Suharekës. Ai ishte pjesë e familjes së Yllit në periudha të rëndësishme të historisë sonë, duke lënë pas kujtime të bukura, respekt dhe mirënjohje të përhershme,” thuhet në reagim.
Në emër të klubit, lojtarëve, stafit dhe tifozëve, KB Ylli ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Fondaj dhe të afërmit e tij.
U prehtë në paqe, Arben Fondaj — emër që do të mbetet pjesë e historisë së basketbollit suharekas.
