Arbër Zhubi, shoku i të ndjerës Daorsa Spahija nga Gjakova, ka ngritur dyshime serioze rreth vdekjes së saj tragjike më 5 nëntor në Tetovë. Ai pretendon se 24-vjeçarja nuk ka kryer vetëvrasje, por është shtyrë nga i dashuri i saj.
Zhubi, i ftuar në emisionin “Kosova Today”, ka deklaruar se Daorsa është shtyrë nga lartësia e ndërtesës, ndërsa sipas tij, Policia e Maqedonisë së Veriut ka fshehur të vërtetën.
“Personi pasi ka shtyrë vajzën rreth orës 16:15, ka zbritur poshtë dhe e ka konfirmuar vdekjen e Daorsës. Fjala është për Hevzi Sejdiun. Ka disa kamera sigurie në hyrje të apartamenteve dhe në garazhe që e përfshijnë zonën”, ka thënë Zhubi.
Ai pretendon se rasti është trajtuar si vetëvrasje për t’u mbyllur më lehtë nga institucionet:
“Rasti është vrasje. Është fshehur nga Policia e vendit dhe është krijuar terreni që të paraqitet si vetëvrasje. Në Maqedoni ekziston memorandum që rastet e vetëvrasjeve të mos raportohen në media, gjë që krijon hapësirë të maskohen raste të tilla”, ka shtuar ai.
Daorsa Spahija, e bija e ish-ushtarit të UÇK-së Arbër Spahija, u varros më 7 nëntor në Gjakovë, duke lënë pas pikëllim të thellë në familje dhe komunitet.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Tetovë ka njoftuar se hetimet po intensifikohen dhe se do të ndërmerren të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit. Sipas tyre, të dhënat e para nuk jepnin indikacione për vepër penale, por procesi hetimor vazhdon.

