Katër policë të Prizrenit janë suspenduar për tre ditë nga detyra me vendim të drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, Faton Alija.
Shkak i suspendimit të përkohshëm pretendohet se janë komentet në një grup privat në Viber të zyrtarëve policorë në momentin e zgjedhjes së kryekuvendarit të Kosovës, Dimal Basha.
Komentimi për të ishte bërë shkak që më pas të shkrepej një fotografi e grupit, e cila më pas u dërgua për trajtim në Polici për aspekt disiplinor.
E tutje siç mëson KALLXO.com policët morën vendimin të nënshkruar nga drejtori Alija.
KALLXO.com ka siguruar vendimin që u është dërguar policëve për suspendim.
Zyrtarët policorë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në vendim u është përmendur se kanë bërë shkelje disiplinore.
“Pasi që me arsye dyshohet se punonjësi i Policisë së Kosovës është i përfshirë në incidentin që paraqet shkelje të rëndë disiplinore apo vepër penale dhe duke u mbeshtetur në interesin e Policisë, punonjësi i cekur në vendim suspendohet përkohesisht nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore në afat deri në tri (3) ditë”- thuhet në njoftim.
Pas kalimit të këtij afati pushon se vepruari ky vendim, përveç nëse merret vendim tjetër për vazhdim të të suspendimit, qoftë me shkrim apo me gojë nga drejtori i përgjithshëm i Policisë.
“Pas pranimit të këtij vendimi, punonjësi i Policisë është i obliguar që ta dorëzojë kartelën identifikuese, armën zyrtare dhe pajisjet policore tek mbikëqyrësi i tij apo saj”- theksohet tutje në vendim.
KALLXO.com ka tentuar të marrë një sqarim nga drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija, por ai ka qenë i paqasshëm.
