Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se Komuna e Suharekës po vazhdon pranimin e kërkesave nga qytetarët që kanë pësuar dëme si pasojë e vërshimeve të fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet ftohen që brenda afatit të përcaktuar të dorëzojnë kërkesat e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, në mënyrë që të bëhet evidentimi dhe vlerësimi i saktë i dëmeve të shkaktuara.
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim:
- Kërkesa (merret dhe plotësohet në administratën komunale);
- Kopje e letërnjoftimit;
- Konfirmimi bankar (llogaria bankare në emër të aplikuesit);
- Fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve (të printuara me ngjyrë);
- Çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë (nëse ka).
Afati për aplikim:
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 22 janar 2026.
Kërkesat mund të dorëzohen personalisht në:
- Zyrën Nr. 1,
- Drejtorinë e Bujqësisë,
- Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente në Komunën e Suharekës.
Nga Komuna e Suharekës u bëhet thirrje qytetarëve që të respektojnë afatin dhe të dorëzojnë dokumentacionin e plotë, në mënyrë që procesi i vlerësimit të zhvillohet sa më shpejt dhe në mënyrë të rregullt.

