Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nëse i ka ofruar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, ndonjë post qeveritar, si dhe nëse i frikësohet fuqisë së saj politike në rast se ajo vendos të rikthehet në politikë, qoftë në Lidhja Demokratike e Kosovës apo në ndonjë subjekt tjetër.
Gjatë një deklarimi për media, Kurti nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë për këto pyetje. Ai theksoi se me presidenten Osmani ka zhvilluar shumë takime dhe diskutime gjatë viteve të fundit, por se përmbajtja e këtyre bisedave duhet të mbetet konfidenciale.
Sipas tij, marrëdhënia institucionale mes presidentes dhe kryeministrit kërkon respektim të rolit të secilit institucion dhe nuk është momenti për diskutime publike politike.
“Ne jemi takuar me presidenten qindra herë në këto më shumë se pesë vite në situata të ndryshme. Kemi pasur diskutime të panumërta. E ruajmë transparencën e proceseve, por na duhet ta ruajmë edhe konfidencialitetin e bisedave. Ajo është kryetare e shtetit ku unë jam kryeministër. S’është koha që të bëj diskutime publike politike me presidenten e vendit”, tha Kurti.
Ai shtoi se nëse një ditë presidentja Osmani vendos të rikthehet aktivisht në politikë, atëherë situata mund të jetë ndryshe dhe diskutimet politike do të zhvillohen në një kontekst tjetër.
“Nëse një ditë, siç është paralajmëruar, mund të kthehet në politikë, ajo është situatë tjetër”, u shpreh Kurti.

