Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar sot projektin madhor të ndërtimit të Stadiumit të ri të Suharekës, duke e cilësuar si një investim historik për sportin kosovar dhe për KF Ballkanin, klubin që vitet e fundit ka qenë krenari kombëtare.
Kurti tha se Qeveria ka ndarë 11 milionë euro për këtë projekt, i cili do t’i japë Ballkanit infrastrukturën që prej kohësh i ka munguar: një stadium modern me mbi 6500 ulëse, i standardeve evropiane dhe i gatshëm të presë ndeshje të nivelit të lartë.
“Ballkani na ka përfaqësuar me dinjitet në arenën ndërkombëtare. Ky klub e meriton stadiumin që po ndërtohet për të”, deklaroi ai.
Ndërkohë që punimet në stadium janë në zhvillim e sipër, Kurti njoftoi se fushat ndihmëse tashmë janë të përfunduara, duke iu krijuar portokallezinjve kushte profesionale për stërvitje dhe zhvillim të talenteve.
Ai theksoi se modernizimi i infrastrukturës sportive mbetet prioritet i qeverisë, ndërsa Suhareka po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një prej qendrave kryesore të sportit në Kosovë.
Investimi në stadium pritet të sjellë përfitime jo vetëm për klubin, por edhe për qytetin, duke rritur vizibilitetin, tifozërinë dhe turizmin sportiv në rajon.

