Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpjeguar arsyen pse Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka rikandiduar presidenten aktuale, Vjosa Osmani, për një mandat të ri në krye të shtetit.
Në një konferencë për media, Kurti deklaroi se një vendim i tillë është marrë pasi ishte e qartë se Osmani nuk do ta siguronte kuorumin e nevojshëm në Kuvend për t’u rizgjedhur presidente.
Sipas tij, fillimisht kishte përpjekje për të gjetur një figurë konsensuale që do të mund të mbështetej nga më shumë subjekte politike në Kuvend.
“Ne jemi përpjekur që ta gjejmë figurën konsensuale dhe shtegun për propozime partiake e nisi PDK-ja, ne nuk ishim për atë. Por, kur na u tha neve që mund të japim propozim, ne erdhëm te emri i Glauk Konjufcës, që mendojmë se ka qenë vendim i duhur”, ka deklaruar Kurti.
Ai theksoi se nga fillimi kanë qenë të vetëdijshëm se as presidentja aktuale dhe as një kandidat tjetër potencial nuk do ta garantonin kuorumin e nevojshëm në Kuvend.
“Ne e kemi ditur paraprakisht që as presidentja aktuale, as presidenti potencial nuk na e garantojnë kuorumin. E kemi ditur. Kjo u pa mbrëmë me ata 66 deputetë”, u shpreh Kurti.
Sipas kryeministrit, në këtë situatë është tentuar bashkëpunimi edhe me partitë e tjera parlamentare për të gjetur një zgjidhje politike.
Ai shtoi se pikërisht këto rrethana kanë ndikuar që në fund të mos jetë kandidate as presidentja aktuale.

