Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Suharekë ka reaguar pas lajmit për sulmin fizik ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës, duke e cilësuar këtë ngjarje si shqetësuese dhe të papranueshme.
Në reagimin e saj, LDK shprehet se dhuna, në çfarëdo forme apo rrethane, nuk mund të arsyetohet dhe përbën një akt që cenon rendin, sigurinë publike dhe funksionimin normal të institucioneve.
“Apelojmë për maturi nga të gjithë qytetarët dhe zyrtarët komunalë, duke theksuar nevojën për qetësi dhe përgjegjësi në çdo situatë. Komuna e Suharekës duhet të jetë një vend ku mbizotëron rendi dhe ligji, ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, dhe ku sfidat zgjidhen përmes dialogut e jo përmes konfrontimeve apo dhunës,” thuhet në reagim.
LDK Suharekë i ka bërë thirrje organeve të rendit që të hetojnë rastin në tërësi, të zbardhin rrethanat dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës.
Në fund, kjo parti ka theksuar se qëndron fuqishëm në mbështetje të ligjshmërisë dhe sigurisë publike për të gjithë qytetarët dhe zyrtarët e komunës, duke nënvizuar se dhuna nuk mund të ketë vend në shoqëri dhe institucione.
