LDK Suharekë ka mirëpritur njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren për ngritjen e aktakuzës ndaj zyrtarëve të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në projektet e lapidarëve në Studenqan, Vraniq dhe Dubravë.
Sipas kësaj dege, ky hap përbën një zhvillim të rëndësishëm drejt transparencës dhe vendosjes së përgjegjësisë në menaxhimin e fondeve publike.
LDK rikujton se gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i degës Ardian Shala kishte paralajmëruar haptas për shkeljet e supozuara dhe kishte kërkuar reagim institucional. Sipas subjektit, paralajmërimet e tij u neglizhuan atëherë, çka e bën të domosdoshme vazhdimin e betejës për llogaridhënie.
Në reagim thuhet se LDK Suharekë mbështet plotësisht çdo proces hetimor dhe gjyqësor që synon ndëshkimin e atyre që keqpërdorin detyrën publike apo fondet e qytetarëve. Po ashtu, theksohet se çdo abuzim që prek vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të trajtohet me seriozitet të plotë dhe me ndëshkime shembullore.
LDK Suharekë shprehet e vendosur të vazhdojë të kërkojë transparencë, drejtësi dhe mbrojtje të interesit qytetar, duke e cilësuar këtë aktakuzë si një hap të domosdoshëm për rikthimin e besimit në institucionet publike.
