Ai u propozua në këtë mënyrë pasi të propozuarit e Listës Serbe s’arritën t’i siguronin 61 vota.
Kushtetuesja vendosi se të drejtën e propozimit për nënkryetar e kanë shumica e deputetëve të komunitetit serb, që edhe në këtë legjislaturë janë nëntë deputetët e Listës Serbe. Vendimi u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe mbetet e paqartë se si do të veprojnë ata për çështjen e nënkryetarit serb gjatë legjislaturës së re.
Me t’u përmbyllur çështja e konstitutimit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Presidentja duhet të mandatojë për kryeministër dikë nga partia fituese, në këtë rast LVV-ja.
I mandatuari, më pas, i ka 15 ditë kohë që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit dhe të kërkojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve.
Për dallim nga hera e kaluar, Kurti pritet të mos ketë vështirësi për t’i bërë numrat për Qeverinë, pasi vetëm partia e tij ka fituar 57 ulëse në Kuvend.
Çështja e presidentit
Nëse deputetët duan që të mos shkohet sërish në zgjedhje, atëherë ata do të duhet të veprojnë shpejt për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, që të arrihet afati i 4 marsit – data e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Presidentja Osmani ka mandat deri më 4 prill, por presidenti i ri nuk mund të zgjidhet më vonë se 30 ditë para kësaj date.
Vetë Osmani ka shprehur dëshirë që të jetë në krye të shtetit edhe për një mandat pesëvjeçar. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ajo do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme.
Presidentja Osmani është kritikuar disa herë gjatë mandatit të saj se ka mbajtur anë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në fund të dhjetorit, ajo tha se nëse nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë për mediat ditë më parë se ka biseduar me Osmanin për çështjen e presidentit, por që, sipas tij duhet të ekzistojë një raport i ri me partitë në opozitë për çështjen e kreut të ri të shtetit.
Në bazë të Kushtetutës, presidenti i ri zgjidhet përmes votimit të fshehtë dhe kushdo që dëshiron të garojë duhet t’i mbledhë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.
Kreu i shtetit zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, por nëse në këto dy votime s’ka numra të mjaftueshëm, atëherë në rundin e tretë zgjidhet ai kandidat që merr shumicën e votave të deputetëve.
Në rast se dështon zgjedhja e presidentit, me automatizëm shpallen zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

