Msc. Mimoza Bajraktari, kryeinfermierja me përvojë dhe vizion, kandidon për mandatin e dytë në Asamblenë Komunale të Suharekës
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka prezantuar kandidaturën e Msc. Mimoza Bajraktarit për Asamblenë Komunale, e cila hyn në garë për mandatin e saj të dytë si përfaqësuese e qytetarëve nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Mimoza Bajraktari është një figurë e njohur për përkushtimin profesional dhe njerëzor, me përvojë që nis në kohë lufte dhe vazhdon edhe sot, ku ajo shërben si Kryeinfermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë.
Ajo është magjistre në Menaxhimin e Shërbimeve Shëndetësore dhe ka kontribuar edhe si ligjëruese për studentë, duke ndarë dije dhe përvojë me brezin e ri. E njohur për energjinë, profesionalizmin dhe lidershipin e saj, Mimoza është shembull i një gruaje që kujdeset, vepron dhe udhëheq me mendje dhe zemër.
“Me përkushtim të veçantë në shërbim të qytetarëve, siç ka bërë gjithmonë, me besim, dinjitet dhe vizion,” – thuhet në prezantimin zyrtar nga kryetari Muharremaj.
Kandidatura e saj për mandatin e dytë vjen si vazhdimësi e një angazhimi të sinqertë dhe të dëshmuar, për të përfaqësuar me përgjegjësi qytetarët dhe për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në forcimin e sektorit shëndetësor, politikave sociale dhe qeverisjes lokale me ndjeshmëri dhe kompetencë.
