Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë një apel publik për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion gjatë ditëve me reshje të mëdha shiu.
Ai tha se ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë situatën në çdo moment, megjithatë kujdesi i qytetarëve mbetet kyç për sigurinë në trafik.
“Gjatë këtyre ditëve kur është paralajmëruar reshje të mëdha shiu, ju bëjmë apel për kujdes të shtuar në komunikacion. Ekipet tona të mirëmbajtjes së rrugëve janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë situatën vazhdimisht. Nuk ka vend për shqetësim, mjafton të tregojmë kujdes dhe përgjegjësi në trafik,” ka deklaruar Durmishi.
Ai u kërkoi qytetarëve të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në rast të reshjeve të dendura.
Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë monitorimin dhe sipas Durmishit, çdo situatë eventuale do të menaxhohet me kohë nga ekipet përgjegjëse.

