Së shpejti pritet të krijohet qeveria e re komunale në Suharekë. Burime të SuharekaExpress kanë bërë të ditur se brenda ditëve në vijim do të formohet kabineti qeverisës “Muharremaj 3”.
Sipas të njëjtave burime, edhe në këtë mandat pritet të vazhdojë bashkëqeverisja mes AAK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Mësohet se në kuadër të marrëveshjes së re politike, PDK pritet të marrë drejtimin e disa drejtorive kyçe në komunë, përfshirë Drejtorinë e Financave, Drejtorinë e Kadastrit dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
Po ashtu, sipas informatave të siguruara, priten ndryshime në shumicën e drejtorive komunale, ndërsa disa prej tyre do të mbesin me udhëheqjen aktuale.
Ndryshim pritet edhe në pozitën e nënkryetarit të komunës, pasi nënkryetarja aktuale, znj. Mihrije Suka Berisha, është pensionuar dhe nuk do të vazhdojë më në këtë funksion. Emri i ri për këtë pozitë pritet të bëhet publik në ditët në vijim, me finalizimin e kabinetit të ri qeverisës.
Detajet zyrtare rreth përbërjes së plotë të qeverisë komunale pritet të konfirmohen pas përfundimit të marrëveshjeve ndërmjet partnerëve të koalicionit./suharekaexpress.com

