Nisma Socialdemokrate në Suharekë ka zyrtarizuar kandidaturën e Elona Balaj për Asamblenë Komunale në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ajo vjen si përfaqësuese e një brezi të ri profesionistësh, që kombinon dijen akademike me përkushtimin praktik në shërbim të qytetarëve.
Elona ka përfunduar studimet Bachelor në Infermieri të Përgjithshme, ndërsa më pas ka ndjekur dhe përmbyllur me sukses studimet Master në Menaxhment Shëndetësor – duke u pajisur me njohuri të thella, si në aspektin klinik, ashtu edhe në atë organizativ dhe institucional të sistemit shëndetësor.
Aktualisht, ajo ushtron profesionin e saj si infermiere në sektorin privat, ku njihet për profesionalizëm, empati dhe përkushtim në raport me pacientët. Përveç angazhimit të saj të përditshëm, Elona është aktive edhe në çështje sociale dhe shpesh ka kontribuar vullnetarisht në mbështetje të qytetarëve, sidomos në fushën e shëndetësisë.
Ajo vjen nga një familje punëtore dhe me vlera, e edukuar me ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektit ndaj të tjerëve – vlera që i ka bartur edhe në qasjen e saj qytetare dhe profesionale.
Me këtë profil të kompletuar dhe vizion për një sistem shëndetësor më të afërt dhe më efikas, Elona Balaj hyn në garën për Asamblenë Komunale si një kandidate e besueshme dhe e përgatitur për të sjellë ndryshim dhe përparim në Suharekë.
Nisma Socialdemokrate e cilëson kandidaturën e saj si një hap konkret drejt afërsisë më të madhe me qytetarin dhe përmirësimit të shërbimeve bazike, duke vënë theks të veçantë në nevojën për përfaqësues me integritet dhe dije profesionale.
