Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka reaguar me trishtim të thellë pas ndarjes nga jeta të gazetarit të njohur shqiptar, Artur Zheji.
Në një postim prekës, kryetari Muharremaj shprehu dhimbjen për humbjen e një miku të çmuar dhe një figure të rëndësishme të gazetarisë shqiptare. Ai e cilësoi Zhejin si një “mendje të ndritur, një penë të guximshme dhe një shpirt të lirë”, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e medias në vend.
“Kam pasur fatin ta kem pranë, të ndaj biseda, ide dhe çaste miqësie me të. Sot, fotografia që kam me Arturin nuk është thjesht kujtim, por dëshmi e një shoqërie të sinqertë dhe respekti të madh që e kisha për të.”
Në kujtimin e tij, kryetari theksoi se do t’i mungojë fjala e mençur e Zhejit, humori i hollë dhe pasioni i tij për të vërtetën.
“Pushofsh në paqe miku im,” – përfundon mesazhi i ngrohtë dhe emocional.
